BonBon / Çokollatë

Mousse BonBon

Nga Valbona

Përbërësit

Atelieri i Përbërësve

Përbërësit më të mirë. Shija më e pastër.

5 PËRBËRËS
Mascarpone

Mascarpone

250 gr maskarpone
Çokollatë

Çokollatë

150 gr çokollatë e zezë
Vezë

Vezë

2 të bardha veze
Sheqer

Sheqer

2 lugë sheqer
Mafishe

Përbërës

4-5 mafishe

Këtë fundjavë ishim ne për darkë tek Ilir B. Ogerta gatuan gjithmonë gjëra të veçanta dhe delikate. Nëse Ogi (siç i thërras unë shkurt) shkëlqen tek të kripurat, unë shkëlqej tek të ëmblat. Në këtë pikë bie dakort dhe Ilir B., i cili është një shijues pjatash shumë i kujdesshëm ose thënë shqip “nazeli” 😍. Tema e darkës ishte “Levrek deti i egër”, ndaj dhe ëmbëlsira që unë do çoja duhet t'i afrohej këtij standarti 😍.

Vendosa të bëj një recetë që jo vetëm nuk e kam gatuar ndonjëherë, por e kam provuar vetëm një herë në një restorant në Durrës para dy vitesh, i kërkova biles dhe recetën lokalit, por më thanë që është sekret 😍. Sekret ishte vërtet, por 3 përbërësit kryesorë unë ja ndjeva në shije. Mund dhe të kishte ndonjë përbërës tjetër që nuk ma kapi shija apo dhe proçedurën e përgatitjes së recetës të cilën e hamendësova, por në kuzhinë ashtu si dhe në dashuri lejohen të gjitha, apo është “luftë”?? 😍😍

Mousse Bonbon ka 3 përbërës kryesorë maskarponen, çokollatën e zezë dhe mafishet me vezë. Përmasat unë i tentova si më poshtë dhe funksionuan. Duke qënë se mousse do e çoja tek darka e përgatita në një tavë (për të evituar lëvizjen e 8 gotave të mbushura me mousse). Rezultatin do e shikoni vet. I shkoi aq mirë peshkut që kishte gatuar Ogi, duke mos e ulur standartin e tavolinës 😍.

Përbërësit:

250 gr maskarpone

150 gr çokollatë e zezë

2 të bardha veze

2 lugë sheqer

4-5 mafishe

Përgatitja:

Shkrijmë çokollatën në banjomari ose për thjeshtësi vëndosim tenxheren me çokollatën në zjarr, duke i shtuar brenda 2 lugë gjelle ujë. Pasi çokollata shkrin, hedhim maskarponen dhe trazojmë sa të krijohet një masë kremoze.

Rrahim të bardhat e vezës dhe kur masa të jetë fryrë shtojmë dy lugë me sheqer. Shtojmë kremin e çokollatës mbi vezët e rrahura dhe trazojmë me lëvizje rrethore poshtë lart.

Unë e servira në tavë për arsyen që ju thashë më lart, por në rastin tuaj në gotat e servirjes do shtoni mafishe që e keni shkërmoqur më parë me dorë. Hedhim kremin mbi mafishe dhe e lëmë të ftohtet në frigorifer për të paktën 2 orë.

Servirjen unë e bëra tek tasat e Ogit që shkëlqejnë si pasqyrë (me pak përqëndrim do gjeni pasqyrimin e duarve dhe celularit tim :), shoqëruar dhe me cupcakes me mascarpone (receta herë tjetër).

Që mos të harroj edhe këtë të shtunë, megjithë vajin e livandos që digjej pranë nesh, fituesja e lojës me letra isha përsëri unë. Ilir B. thotë që unë jam një lojtare e keqe pokeri, por jo Mulani 😍. Ju bëftë mirë.

Komentet (0)

Ende nuk ka komente. Bëhu i pari që ndan mendimin tënd!

Lini një koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet. Fushat e detyrueshme janë të shënuara me *

Komentet e reja kontrollohen për moderim dhe duhet të aprovohen përpara se të shfaqen.